Liderët komunitarë në Zhelinë mësojnë strategji të reja për avokim

Liderët komunitarë në Zhelinë mësojnë strategji të reja për avokim

Më 19 dhe 20 prill, në sallën e konferencave të NB Hotel & Spa u mbajt një trajnim i dedikuar për hulumtimin në avokim për palët e interesit në nivel lokal, duke synuar të pajisë pjesëmarrësit me njohuri dhe aftësi për të ndikuar në politikat dhe zhvillimin komunitar.

Në këtë seancë morën pjesë përfaqësues nga Komuna e Zhelinës, organizata joqeveritare, liderë komunitarë dhe anëtarë të klubeve rinore. Përmes sesioneve interaktive dhe ushtrimeve praktike, ata patën mundësinë të mësojnë mbi rolin e hulumtimit si mjet avokues, duke bashkëpunuar me aktorë të ndryshëm për të adresuar sfidat lokale.

Gjatë trajnimit u diskutua rëndësia e përdorimit të të dhënave dhe analizave në avokim, si dhe strategjitë për të ndërtuar argumente të fuqishme në mbështetje të kauzave komunitare. Pjesëmarrësit u angazhuan në punë praktike, duke zhvilluar plane konkrete për avokim mbi çështje të rëndësishme për komunitetin e tyre.

Ky trajnim shënoi një hap të rëndësishëm drejt forcimit të kapaciteteve të aktorëve lokalë, duke i pajisur ata me mjetet dhe njohuritë e duhura për të ndërmarrë iniciativa që sjellin ndryshime pozitive. Përfundimi i suksesshëm i kësaj seance konfirmon angazhimin për një qeverisje më të hapur dhe përfshirëse, ku vendimet merren mbi bazën e analizave të mirëfillta dhe nevojave reale të qytetarëve.